RMV, ushqimi i subvencionuar i studentëve ende po „gatuhet”, nuk dihet ende se kur dhe si do ta marrin studentët

Mbetet i paqartë fati i ushqimit të subvencionuar të studentëve. U bë një javë nga fillimi i vitit të ri akademik dhe studentët ende nuk e dinë nëse shteti edhe këtë vit do t’ua lehtësojë ngarkesën financiare për sa i përket ushqimit të tyre. Ligjvënësit dhe autoritetet sigurojnë se ndryshimet janë në rrjedhë e sipër dhe se studentët nuk do të mbeten „të uritur”,shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) konkursin për ushqim të subvencionuar e shpalli më 1 gusht. Vonesa e sivjetme e shpalljes dhe mungesa e informacionit zyrtar ka ngjallë dyshime te studentët për atë nëse buxheti i tyre këtë vit do të mbështetet nga kjo masë financiare.

Për „Meta.mk“ nga MASH thonë se ndryshimet për Ligjin për ushqimin e subvencionuar janë në rrjedhë e sipër dhe se menjëherë pas miratimit të tij do shpallet edhe konkursi në të cilin do mund të aplikojnë studentët.
„Në procedurë e sipër janë ndryshimet e Ligjit për ushqim të subvencionuar të studentëve të cilat do mundësojnë vazhdimin e shfrytëzimit të kësaj mase edhe gjatë vitit të ri akademik nga studentët të cilët vërtetë kanë nevojë për këtë gjë. Shpallja publike do publikohet menjëherë pas miratimit të ndryshimeve dhe hyrjes së tyre në fuqi, për çka studentët do informohen në kohë“, thonë nga MASH.

Studentët të lënë në mëshirën e deputetëve

Hartimi i projekt-ligjit për vazhdimin me të cilin duhet të vazhdohet subvencionimi i ushqimit të studentëve për këtë vit përfundoi më 11 shtator, por ende nuk është vënë në rend dite në seancë parlamentare.

Deputetja Monika Zajkova nga Partia Liberal Demokratike (PLD), partia që e propozoi këtë Ligj, thotë se vonesa e ushqimit të subvencionuar për këtë vit ishte paralajmëruar që më herët, por se ligji këtë herë do të zbatohet sistematikisht, siç ishte paraparë gjatë miratimit të tij në vitin 2020.

„Draft-versioni i Ligjit tashmë është gati, mbetet që t’i shtojmë vërejtjet tona për atë që propozohet. Duhet të bëhen dispozita dhe të vihet përsëri në fuqi zgjidhja sistemike. Pres që kjo të ndodhë pas disa javësh në seancën e ardhshme parlamentare, nëse ka konsensus mes partive politike”, thotë Zajkova.

Seanca parlamentare e radhës është caktuar për pas dhjetë ditësh, më 17 tetor, por në agjendën e seancës për momentin nuk është vënë edhe shqyrtimi i ligjit të ndryshuar për ushqimin e subvencionuar.

Vitin e kaluar akademik, mjetet për ushqim studentët i merrnin çdo muaj në llogaritë e tyre rrjedhëse, por mund t’i përdornin tek të gjithë tregtarët në vend, pa kufizime, madje edhe t’i tërheqin si para kesh. Në këtë rast, me këto mjete studentët jo rrallë herë blinin edhe mallra të tjera.

Sipas Zajkova, është e domosdoshme që këtë vit Ligji të zbatohet në formën e tij origjinale në mënyrë që mjetet të përdoren për qëllimin e dhënë.

„Koncepti i ushqimit të subvencionuar të studentëve është që këto mjete të shpenzohen për qëllimin e tyre, për ushqim. Nëse shpenzohen për gjëra të tjera, atëherë do bëhej fjalë për një lloj tjetër të ndihmës financiare, e cila është gjithashtu legjitime, por do të nënkuptonte një koncept dhe ligj tjetër. Ne duam që vërtetë të jetë një subvencion që do të përdoret për ushqim dhe do të funksionojë ashtu siç funksionon me vite në Slloveni”, shton Zajkova.

Çfarë parashikon Ligji origjinal i dy viteve më parë?

Sipas Ligjit për ushqimin e subvencionuar të miratuar në shkurt të vitit 2020, subvencionimi i ushqimit do duhej të bëhej në periudha të caktuara të vitit dhe muajit dhe në orar të caktuar të ditës, tek dhënësit e regjistruar të ushqimit të subvencionuar të studentëve. Pagesa për shërbimin do kryhej përmes kartelave digjitale të cilat do i lëshonte MASH-i ose përmes telefonit celular.

Dhënësit e ushqimit të subvencionuar të studentëve do ishin hotelierë të cilët do të zgjidhen me shpallje publike dhe të cilët ushqimet e tyre do i shisnin me çmime të paktën për 10 përqind më të ulëta nga çmimet në treg.
Në një rast të tillë do të jetë e nevojshme që Ministria e Arsimit dhe Shkencës fillimisht do publikojë shpallje për hotelierët të cilët do të ofronin ushqim për studentët dhe pastaj edhe studentëve, gjë që mund të shkaktojë vonesa të mëtejshme në zbatimin e kësaj mase.

„Ne lajmëruam se do ketë vonesa në zbatim, ka vonesa në shpallje, ligji ende nuk është miratuar, do duhet të miratohen rregulloret në kuadër të MASH-it dhe pastaj do publikohet shpallje për hotelierët, e më pas edhe për studentët. Për këtë do të jetë e nevojshme që MASH të gjejë një mekanizëm për ta përshpejtuar zbatimin. Fakt është se do të ketë ushqim edhe pse do të vonohet ndarja e mjeteve”, thotë deputetja Zajkova.

Edhe pse ka pasur iniciativë, deri më tani nuk ka njoftime nëse do të rritet shuma prej120 denarë në ditë e ushqimit të subvencionuar të studentëve.

Kryetari i ri i Kuvendit Studentor Universitar të UKM-së, Sllavço Temelkovski, thotë se KSU UKM tashmë ka kërkuar rritje të shumës së ushqimit të studentëve, por në kuadër të grupit punues për hartimin e Ligjit për standardet rinore, në të cilin do përfshihej edhe Ligjin për ushqimin e subvencionuar.

„Konkretisht, kërkesa jonë ishte që ushqimi i subvencionuar i studentëve të rritet sipas inflacionit që regjistrohet në shoqëri. Nëse i krahasojmë çmimet nga koha kur është miratuar ligji për ushqimin e subvencionuar dhe informacionet sot, do vërejmë një rritje prej mbi 27 përqind. Me rritjen e shportës së konsumit të ushqimit dhe pijeve duhet të rritet edhe shuma për ushqimin e studentëve”, thotë Temellkovski.

Vitin që shkoi ndihma financiare për ushqim për studentët paguhej në periudhën nga15 shtatori deri më 30 qershor dhe për këtë qëllim MASH-i ndau rreth 15 milionë euro në vit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button