Rudina Hajdari nga Nisma Thurje, teksa fliste në “Zgjedhje 2021” për ngjarjen e rëndë në Elbasan, fajësoi dy partitë kryesore në vend.

Sipas saj, bandat lëvizin lirshëm në Elbasan.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të distancohen nga kjo ngjarje, nga mënyra se si po mundohen të infiltrojnë frikë dhe pasiguri për qytetarët. Dhe të dalin dhe të ndëshkojnë këtë lloj sjellje politike të rëndë midis bandave dhe midis kriminelëve. Ne jemi gjatë gjithë kohës në terren dhe të gjithë qytetarët e Elbasanit janë në dijeni që këtu bandat apo organizatat kriminale janë prezente gjatë gjithë kohës dhe lëvizin lirshëm dhe po ta shikosh është një ngjarje që ndodh në mesin e ditës, pa pikë problemi. Dhe kjo është ajo çka është akoma më e frikshme.”

E pyetur nëse është e frikësuar pas kësaj ngjarje, Hajdari u shpreh se jo, por sqaroi më tej se do ta luftojë këtë lidhje të krimit me politikën.

“Nuk ndjehem e frikësuar, sepse i kam marrë parasysh këto rreziqe dhe kam qenë ndër të parat që kanë folur pikërisht për lidhjen që ka krimi i organizuar me politikën. Dhe kam fajësuar të gjitha palët për lidhjen që kanë me organizatat kriminale, që përdorin muskuj ndaj njëra-tjetrës dhe nuk shpalosin ide për vizionet e tyre për qarkun e Elbasanit. Kjo është një tjetër ngjarje që dëshmon pikërisht këtë sjellje politike. Nuk kam frikë, sepse unë dua ta luftoj këtë fenomen dhe lufta ime kryesore në këtë qytet është që të luftoj pa kompromis lidhjen që ka pushteti me krimin e organizuar, në mënyrë që ky qytet të ecë përpara dhe këtu të vijë zhvillimi ekonomik dhe këtu të hapen vende pune.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *