Koreja e Veriut ka testuar dy raketa me rreze të shkurtër mëngjesin e kësaj të enjteje. Lajmi u konfirmua nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Koresë së Jugut.
Raketat u nisën nga qyteti bregdetar Wonson në lindje të Koresë Veriore dhe ranë në detin e Japonisë.
Testimi i dy raketave të reja është hapi i parë që Koreja e Veriut ka ndërmarrë pas takimit mes Kim Jong Un dhe presidentit amerikan Donald Trump muajin e kaluar në zonën e demilitarizuar mes dy vendeve.
SHBA-të ndërkohë po hetojnë njërën nga raketat, e cila nuk ishte e zakonshme apo e ngjashme me ato të Koresë së Veriut. Një gjë e tillë forcon dyshimet se Pheniani po vijon me programin bërthamor.
Por mediat në Seul shkruajnë se testimi i dy raketave të fundit është shenjë e zemërimit të Koresë së Veriut ndaj stërvitjes së përbashkët ushtarake mes Koresë së Jugut dhe SHBA-se që do të mbahet muajin e ardhshëm.
Pheniani kishte paralajmëruar se një gjë e tillë mund të ndikonte në bisedimet për denuklearizimin e gadishullit.
Bisedimet mes Trump dhe Kim Jong Un janë bllokuar që pas takimit të dytë të mbajtur në muajin shkurt të këtij viti.
Pheniani zyrtar kërkon heqjen e sanksioneve në këmbim të pezullimit të programit bërthamor, por Trump e ka kundërshtuar vazhdimisht një gjë të tillë.