30-04-2024

Kuvendi i Prizrenit nesër mban edhe një mbledhje të jashtëzakonshme

Kuvendi Komunal i Prizrenit do të mbajë edhe një mbledhje të jashtëzakonshme me kërkesë të opozitës.

Seanca e të premtes, mbahet me kërkesën e LDK-së në opozitë, për të kërkuar sqarime lidhur me tërheqjen e një  shume të mjeteve financiare të buxhetit të Prizrenit nga ministria e Financave, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Organit më të lartë lokal të Prizrenit, i duhet që në këtë formë të mblidhet sërish pas dy muajsh kur ishte shqyrtuar gjendja e rënduar në arsimin prizrenas, seancë që po ashtu u mbajt me kërkesë nga opozita, përkatësisht Nisma.

Kryetari prizrenas Haskuka, gjatë qeverisjes së tij, pos tjerash do të mbahet mend edhe për numrin më të madh të mbledhjeve të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal. Nga ajo që është parë në seancën e të fundit, në të cilën dështoi miratimi i buxhetit për vitin e ardhshëm, doli se partia e Haskukës, Vetëvendosje dhe partnerët e saj (asamblesit nga minoriteti turk e boshnjak) nuk kanë më shumë se 11 vota nga 41 ulëse sa ka gjithsej KK.

Mbledhja e të premtes do të mbahet në selinë e KK-së tek “Shtëpia e Bardhë”, duke filluar në orën 10:00. /GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.