Alexander Lukashenko sot zyrtarisht është betuar për një mandat të shtatë si president i Bjellorusisë, pavarësisht polemikave të vazhdueshme mbi rezultatet e zgjedhjeve të muajit të kaluar.
Ceremonia e betimit u zhvillua në Pallatin e Pavarësisë në kryeqytetin Minsk, tha zyra presidenciale e shtypit në një deklaratë.
Pasi Lukashenko bëri betimin, duke mbajtur dorën në Kushtetutën e vendit, Lidia Yermoshina, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Bjellorusisë, i dha atij certifikatën presidenciale.
Pas ceremonisë, Lukashenko tha se bjellorusët jo vetëm që rizgjodhën presidentin e tyre, ata “mbrojtën jetën paqësore dhe sovranitetin në Bjellorusi”.
“Kjo është dita e fitores sonë të mrekullueshme”, tha ai.
Në mënyrë të pazakontë, ceremonia ishte një ngjarje modeste me vetëm disa qindra të ftuar, nuk u njoftua paraprakisht, me sa duket për arsye sigurie.
Ajo u zhvillua derisa demonstratat e opozitës kundër rezultateve të zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit vazhdojnë të trondisin vendin.
Protestat shpërthyen pasi Lukashenko, i cili ka shërbyer si president që nga viti 1994, u shpall fitues i zgjedhjeve. Kandidatët e opozitës, megjithatë, akuzuan administratën për manipulim të votave.
NATO dhe udhëheqësit evropianë e kanë nxitur Lukashenkon të fillojë dialog me opozitën dhe të respektojë të drejtat themelore të njeriut të qytetarëve të Bjellorusisë./AA