Sofonia

Nëse dikush dëshiron që tërë orakujt e fshehtë të profetëve t’i jepen në një përmbledhje të shkurtër, le të lexojë këtë libër të shkurtër të Sofonias.Martin Bucer (1528)

I. Vendi unik në Kanun

Shumë njerëz janë “shikues të pushtetit mbretëror” dhe gëzohen të ndjekin fisnikët. Si një nip i madh i mbretit të mirë Ezekia [1] dhe një kushëri i largët i mbretit të perëndishëm të kohës së tij, Josias, Sofonia mund të ketë qenë një pjesëtar i këtij oborri. Është e trishtueshme të thuhet se midis mbretërimeve të këtyre dy mbretërve të drejtë pati një mbretërim të keq gati gjysmëshekullor nga Amoni dhe Manaseu. Sofonia mund të kishte pasur liri hyrjeje në oborrin mbretëror në kryeqytetin e Mbretërisë Jugore, Judës.

II. Autorësia

Dimë shumë pak rreth Sofonias, birit të Kushit. Emri i tij do të thotë Jehovahu fsheh, pra, “mbron”, apo “mban si thesar”. Gjenealogjia e tij, ashtu siç është vënë re, i ka rrënjët te stërgjyshërit mbretërorë. Atij i pëlqente të vinte terrin para dritës dhe dritën para territ, duke dhënë një përfytyrim të errët të Ditës së Zotit, megjithatë duke dhënë një pamje të çastit të lavdisë së ardhshme të Izraelit dhe të kthimit të johebrenjve te Zoti. Ashtu siç tregon Hjuiti (Hewitt), profeti Sofonia nuk ha asnjë fjalë:

Nuk ka kompromis në gjuhën e përdorur. Ai e padit mëkatin dhe shpall gjykimet pa iu dridhur qerpiku dhe e mbyll librin e tij me një himn plot frymëzim e shpresë, duke pasur parasysh përurimin e Mbretërisë Mijëvjeçare [2].

III. Data

Sofonia shërbeu gjatë mbretërimit të Josias (640-609 para K.). Studiuesit besimtarë janë ndarë në dy grupe për sa i përket shkrimit para apo pas gjallërimit të madh të vitit 621 para K. Nëse është shkruar përpara, profecia e tij ka ndihmuar disi në rizgjimin frymëror. Por disa hollësi, siç është citimi i ligjit të sapozbuluar përsëri, hedhin idenë e një date pas vitit 621. Meqë Sofonia 2:13 tregon se Ninive ekzistonte ende, mendohet një datë para shkatërrimit të këtij qyteti, më 612 para K. Kështu libri mund të jetë shkruar midis 621 dhe 612 para K.

IV. Sfondi dhe tema

Sofonia ka gjasa të ketë profetizuar nga Jerusalemi (“ky vend”, 1:4). Sfondi historik i profecisë së tij mund të gjendet tek 2 Mbretërve, kapitujt 21-23 dhe te kapitujt e parë të Jeremias:

Sofonia pa turma kërcënuese të skithianëve, që u shfaqën në horizont, të shpejtë e të tmerrshëm në lëvizjet e tyre… Pozicioni i Judës ishte delikat dhe i vështirë, sepse me forcat e saj të vogla nuk mund të shpresonte për të mbijetuar ndaj fuqive të mëdha. Kur kombet më të mëdha në veri dhe në jug të Judës u përpoqën për kontrollin e botës, kombet e dobëta që ishin në mes u përfshinë dhe zakonisht u rrënuan. Duke pasur parasysh trazirën e zjarrtë përreth, Sofonia u bë një predikues i drejtësisë dhe paditi të këqijat e kohës së tij me fjalë të pakursyera [3].

Ai përdor shprehjen “Dita e Zotit” shtatë herë në librin e vet të vogël. Kjo jep temën e librit: gjykimi i Perëndisë po bie mbi Judën për shkak të mosbindjes. Shprehje të tjera kyçe janë “xhelozia” dhe “në mes”. Perëndia është xheloz në kuptimin se Atij i vjen keq për idhujtarinë e popullit të Tij. Ai është së pari “në mes” si një Gjyqtar i drejtë (3:5) dhe më pas si Pushtues i armiqve të tyre (3:15).

PARAQITJE E PËRGJITHSHME

I. VENDOSMËRIA E PERËNDISË PËR TË USHTRUAR GJYKIMIN (kapitulli 1)
A. Mbi tërë tokën (1:1-3)
B. Mbi Judën dhe Jerusalemin për shkak të idhujtarisë (1:4-6)
C. Dita e Zotit nën simbolin e një flijimi (1:7-13)
1. Mysafirët: armiqtë e Judës (1:7)
2. Viktimat: njerëzit e këqij të Judës (1:8-13)
D. Terrori i Ditës së Zotit (1:14-18)
II. JUDËS I BËHET THIRRJE PËR T’U PENDUAR (2:1-3)
III. RRËNIMI I KOMBEVE PAGANE (2:4-15)
A. Filistenjtë (2:4-7)
B. Moabitët dhe amonitët (2:8-11)
C. Etiopasit (2:12)
D. Asirët dhe në mënyrë të veçantë qyteti i Ninives (2:13-15)
IV. MJERIMI I SHPALLUR JERUSALEMIT (3:1-7)
A. Mosbindja, papërgjegjësia, mosbesimi dhe mospendimi (3:1,2)
B. Lakmia e krerëve dhe e gjyqtarëve (3:3)
C. Mendjelehtësia dhe mashtrimi i profetëve dhe sakrilegji i priftërinjve (3:4)
D. Prania e Zotit në gjykim (3:5-7)
V. MESAZHI I NGUSHËLLIMIT TË MBETJES BESNIKE (3:8-20)
A. Shkatërrimi i johebrenjve të ligj (3:8)
B. Kthimi i kombeve të tjera (3:9)
C. Përtëritja e Izraelit të përçmuar (3:10-13)
D. Gëzimi për Ardhjen e Dytë të Krishtit (3:14-17)
E. Ja se çfarë do të bëjë Perëndia për popullin e Tij (3:18-20)






Referenca    ( ↵ Kthehu mbrapa returns to text)
  1. (Hyrje) “Hizkiah” te 1:1 i versionit KJ është saktësisht i njëjti shqiptim i Ezekias në hebraishten origjinale. ↵ Kthehu mbrapa
  2. (Hyrje) J. B. Hewitt, Outline Studies in the Minor Prophets, f. 45. ↵ Kthehu mbrapa
  3. (Hyrje) J. B. Hewitt, Outline Studies in the Minor Prophets, f. 44. ↵ Kthehu mbrapa